Maqedoni: Arti i grafiteve në “Kohë të antikës së ringjallur”

Një dokumentar i shkurtër për skenën maqedonase të grafiteve artisitike, në kontekst të bumit artistik dhe ndërtimor të sponsoruar nga shteti , i përgatitur nga dy shkencëtare dhe bloguese, Vasillka Dimitrovska dhe Ilina Jakimovska, është prezantuar në konferencën arekologjike me renome, Buffalo TAG 2012.

Dokumentari i titulluar “Luanët, luftëtarët dhe artistët e grafiteve: Kundër-kulturë në kohë të antikës së ringjallur” (në anglisht), i vendos ballë për ballë informatat për përpjekjet e qeverisë për të imponuar një identitet të ri, të lustruar, klasik/barok vizual në qendrën e kryeqytetit të Maqedonisë nëpërmjet projektit Shkupi 2014 (i cili përfshin edhe luanë nga bronza), me intervistat me njerëzit që vizatojnë grafite artistike.

Bashkëautorja dhe arkeologia Dimitrovska, e shkroi këtë [maqedonisht] në blogun e saj, duke futur një deklarim që shpesh dëgjohet nga njerëzit që kanë guximin të flasin publikisht në Maqedoni:

Këtë dokumentar… e bëmë me dashuri të madhe që të dokumentojmë një pjesë të grafiteve që janë zhdukur ose janë duke u zhdukur për shkak të koncepteve të reja urbane që zbatohen në vendin tonë, para së gjithash në Shkup. Ky projekt nuk ka dimension politik, e ne me Ilinën, as që kishim qëllim që ai të fitojë ndonjë konotacion politik. Këtë projekt të vogël për grafitet në Maqedoni e bëmë me financa modeste, dhe kishim për qëllim që pa asnjë lloj censure ose montimi të deklaratave, të dëgjohet zëri dhe mendimi i artistëve që vizatojnë grafite, të cilët  e kanë formësuar ose vazhdojnë ta formësojnë pjesën vizuale të kësaj subkulture, e cila është e dënueshme sipas ligjeve të Maqedonisë, e megjithatë e shfrytëzuar (jo e keqpërdorur) nga klasa politike që është në pushtet.

Në film, artistët e intervistuar poashtu e shprehin nevojën që të heqin dorë nga çfarëdo qoftë interesi për t'u kyçur në jetën politike. Ata flasin për ballafaqimin me rrezikun e dënimit nëse kapen duke “shkruar” me vetëiniciativë (së paku 50 euro), dhe shitjen e integritetit për arsye komerciale ose në projekte të pushtetit lokal, i cili ndonjëherë rekruton artistë që shkruajnë grafite për t'i zbukuruar ndërtesat publike në mënyrë ligjore. Ata poashtu e përmendin ndarjen e madhe në mes të gjeneratave në kuadër të kësaj subkulture.

Bashkëautorja tjetër, etnologia Jakimovska e shkroi këtë [maqedonisht] në blogun e saj në vitin 2007, në një postim ku e përmend skenën e njohur me grafite nga filmi “Jeta e Brajanit” (Life of Brian):

Sado që të duket e pamundur, edhe grafitet janë – folklor! Pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për ndonjë vizatim ose për ndonjë porosi të shprehur nëpërmjet fjalëve, grafitet, për ata që i vizatojnë dhe për ata që i lexojnë ato nëpër muret e qytetit, janë formë e të shprehurit dhe e komunikimit. Nëse ke diçka që nuk e ke thënë, diçka që të dhemb dhe të djeg, – shkruaje në mur, dhe ai do ta thotë atë… “Gruaja nuk është grua nëse nuk është grua”…

Në të kaluarën, bloguesit si Aleks-i [maqedonisht] ose Xhango-ja [maqedonisht] kanë shkruar për grafitet e Shkupit. Artistët e paraqitur në dokumentar nuk janë të pranishëm në pjesën publike të internetit, por ndonjëherë publikojnë fotografi të veprave të tyre në Facebook.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.