Marok: Studenti burgoset për fyerjen e mbretit në video

Ky artikull është pjesë e mbulimit tonë të Protestave në Marok 2011.

Të hënën më 13 shkurt 2012, një gjyq në qytetin marokan Taza e dënoi studentin 24 vjeçar Abdelsamed Hajdur me tre vjet burg dhe dënim në të holla prej 1.200 dollarësh amerikanë, për shkak se e kritikoi mbretin e Marokut në një video [arabisht] të postuar në YouTube. Sipas agjencisë zyrtare shtetërore të lajmeve [frengjisht], z. Hajdur akuzohet për “sulm ndaj vlerave të shenjta të kombit.”

Sipas një ueb-faqeje marokane të lajmeve, z. Hajdur nuk kishte ndihmë ligjore gjatë seancës gjyqësore dhe Gjyqi nuk emëroi një avokat për ta mbrojtur të akuzuarin sipas ligjit marokan. Sipas ligjit marokan, mbreti konsiderohet i pacenueshëm. Mirëpo kushtetuta marokane, poashtu garanton (Neni 25) “lirinë e të menduarit, të qëndrimit dhe të të shprehurit në të gjitha format e tij.”

Inçizimi inkriminues që zgjat katër minuta është postuar në janar, gjatës javës së trazirave sociale dhe përleshjeve të dhunshme ndërmjet demonstruesve dhe policisë speciale, në qytetin e goditur nga papunësia Taza. Në video shihet se si Abdelsamed Hajdur i flet një grupi të njerëzve në rrugë, duke e kriktikuar në mënyrë të ashpër mbretin dhe grupin përreth tij (videoja është postuar nga zawali66):

Ky vendim vjen më pak se një javë pasi një 18 vjeçar u paraqit para gjyqit në kryeqytetin Rabat, i cili akuzohet për krim ndaj madhështisë së mbretit, duke postuar në Facebook fotografi dhe video ku përqeshet Mbreti Mohammed VI.

Lajmi për dënimin e z. Hajdurit shkaktoi reagime të fuqishme në rrjetet sociale.

Në Twitter, Rasta Basta shkruan:

@Basta: vetëm një mendim: në #Marok fyerja e Zotit nuk të çon në burg, ndërsa fyerja e mbretit po, për 3 vjet; çfarë mund të përfundoni? #HR #ArabSpring

Në Twitter, Samia Errazzouki shkruan:

@Charquaouia: Më nuk e mbaj mend numrin e njerëzve që janë burgosur në Marok, që kur është miratuar kushtetuta e re dhe që kur janë mbajtur zgjedhjet, vetëm për shkak se janë shprehur nëpërmjet fjalëve.

Në Twitter, Burrito shkruan:

@Burrito_SB: Sa njerëz duhet të burgosen vetëm për shkak se kanë shprehur mendimin e tyre, a duhet ta kuptojmë se asgjë nuk ka ndryshuar në Marok. #morocco #maroc

Përkundër rritjes së vazhdueshme ekonomike, Maroku akoma vuan nga papunësia e lartë, që është veçanërisht e përhapur në mesin e më të rinjve, ku mbi një çerek e të diplomuarve nuk mund të gjejnë punë.

Në shumë qytete marokane për çdo ditë ka demonstrata për shkak të papunësisë, të cilat zakonisht udhëhiqen nga të diplomuarit universitarë, të cilët dëshirojnë ta përfshijnë sektorin publik. Muajin e kaluar katër protestues të tillë ia vunë zjarrin vetëvetes në kryeqytetin Rabat. Njëri prej tyre e humbi jetën.

Mirëpo, ishte qyteti i Tazës ku tensionet sociale e arritën kulmin. Në qytet kishte përleshje të dhunshme për disa javë me radhë ndërmjet demonstruesve dhe forcave speciale të policisë, të cilat kulminuan më 1 shkurt, kur policia bëri bastisje shtëpi-më-shtëpi, me ç'rast u arrestuan disa protestues të dyshuar.

Të martën, 17 individë nga Taza u dënuan deri me tetë muaj burgim për “vandalizëm dhe shkatërrim të pronës publike”, raportuan mediumet lokale.

Ky artikull është pjesë e mbulimit tonë të Protestave në Marok 2011.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.