Liban: Raporti i CBC për vrasjen e Haririt ngjall debat

Një raport i detajuar i CBC për vrasjen e profilit të lartë të kryemnistrit të mëparshëm libanez Rafik El Hariri ka ngjallur diskutime intenzive në blogosferën libaneze.

Tensioni është rishfaqur përsëri në Liban muajve të fundit, si rezultat i thashethemeve se Tribunali Special i OKB-së për Libanin është afër paditjes së anëtarëve të Hezbollahut për vrasjen e Haririt.

Lideri i Hezbollahut, Sejid Hasan Nasrallah, me ashpërsi ka mohuar çfarëdolloj përfshirje në vrasjen, dhe ka tërhequr vërejtjen për destabilizimin e vendit në rast se OKB-ja do t'i padiste veprimtarët e tij.

Në këtë klimë të tensionuar, rrjeti CBC nga Kanda publikon një hetim të detajuar për vrasjen e Haririt, duke iu bashkangjitur thashethemeve se Hezbollahu në fakt e ka kryer vrasjen.

Blogosfera libaneze ishte e shpejtë në përgjigjen e saj.

Diskutimet janë zhvilluar në blogun e Qifa Nabki, me pyetje të parashtruara dhe përgjigje të dhëna nga gazetari i CBC që e ka përgatitur raportin – Neil Mekdonald.

Pyetja:

Kritika e dytë vjen nga miku syshqiponjë dhe lexues i vjetër i këtij blogu, Ben Rajan, i cili ma dërgoi këtë koment (të cilin po e postoj me lejen e tij).

CBC, 19 nëntor, 2010: “Komisioni i OKB-së në Liban aspak nuk bëri analiza të telekomunikimit në pjesën më të madhe të kohës së ekzistimit të tij trevjeçar. Në atë kohë, në tetor të 2007-ës, gjërat filluan të ecin shpejt… në dhjetor, një specialist nga FTS filloi të hulumtonte atë që po nxirrte kompjuteri. … Ai kishte identifikuar një rrjet të vogël të telefonave mobil, gjithsej tetë, që po e përcillnin Haririn disa javë para vdekjes së tij. … kur hetuesit filluan punën me kujdesin e duhur, duke riverifikuar punën e tyre, doli një zbulim i ri, edhe më tronditës. Dikush që po gërmonte nëpër dosjet e komisionit, paraqiti një raport nga një polic libanez i rangut të mesëm që ishte dërguar në zyrat e OKB-së afër një vjet e gjysmë më parë, në muajt e parë të vitit 2006. …”

Kjo përputhet me tregimet e mëparshme dhe si duket sqaron se pse e gjitha po del në shesh tani, dhe me gjasë pse informatat për të rrodhën në vitin 2006. Mirëpo nuk jep sqarime për raportin e vitit 2005, dhe nuk jep sqarime se pse raporti i vitit 2006 thoshte se hetimi i Bramercit i trajtonte regjistrat telefonikë.

Këto pika janë me rëndësi sepse 1) regjistrat telefonikë regjistroheshin nga radarët që nga tetori i vitit 2005, dhe në vend që të futeshin në ndonjë sirtar dhe të harrohen, ata po raportoheshin nëpër mediumet ndërkombëtare. Dhe 2) thuhej se ata kinse poashtu ishin pjesë e hetimit të kohës së Bramercit, poqese Le Figaro është e saktë (dhe përsëri, ata po raportoheshin nëpër mediume ndërkombëtare kështu që vështirë që mund t'i kaplonte pluhuri në ndonjë dollap për dokumente në ndonjë vend). Periudha kohore për këto regjistrime që është dhënë në raportin e CBC thjesht nuk ka kuptim. Gjithashtu, më duket shumë e përshtatshme që pjesa më e madhe e komplotit në këtë tregim udhëhiqet nga një super njeri gjeni i matematikës që ka vdekur dhe nuk mund as ta konfirmojë e as ta mohojë cilëndo qoftë pjesë të saj.

Aq më tepër dikush në OKB si duket i ka rizbuluar këto regjistra telefonikë dhe ia ka përcjellur shtypit ndërkombëtar sa herë që i dyshuari i ditës duhet shqelmuar nëpërmjet marrëdhënieve publike. Ato u varrosën gjatë skandalit të Raportit të OKB-së vitit 2005 kur (rastësisht…) u përmendën emra dhe gishti tregonte kah Siria, mirëpo koha e shpalljes së raportit të vitit 2006, menjëherë pas “Fitores Hyjnore” dhe e raportit të vitit 2009 pak para zgjedhjeve, dhe tani në kohën kur gjërat po shkojnë drejt konfrontimit, të dyja për cak kanë Hezbollahun. Nuk kam parë asnjë përpjekje për të sqaruar se si këto regjistra magjikë telefonikë mund të tregojnë me gisht kah Siria në tetor të vitit 2005 e pastaj kah Hezbollahu në vitet 2006, 2009 dhe 2010.

Në fakt kësaj pune i vjen era. Ndoshta këto janë reale dhe ndoshta ato e thonë të njëjtën gjë që e thotë edhe Mekdonald se e thonë. Mirëpo me këtë ngjarje po bëhet pazarllëk, e ajo nuk hetohet. Një gazetar hetues, i aftë për t'i zbuluar të gjitha këto, poashtu do të ishte i aftë që të bënte kërkim në Google për 15 minuta dhe të shfrytëzonte Google Translate (shërbimin për përkthim të Google-it) që e bëra edhe unë për t'i përpiluar këto mospërputhje, dhe t'i sqarojë ato në një raport të ri ose së paku të fillojë t'i parashtrojë këto pyetje.

Përgjigja nga Neil Mekdonald:

I shkrova Neil Mekdonaldit (autorit të raportit të CBC për hetimin e OKB-ve në lidhje me vrasjen e Rafik el-Haririt) dhe i kërkova që po të kishte mundësi të përgjigjej në disa pyetje të publikuara në këtë blog më herët gjatë ditës së sotme, sa i përket momenteve kohore të prezantuara si të tija gjatë procedurës hetimore.

Z. Mekdonald ka theksuar në tekstin e tij se “Bramerci nuk mund të bindej ta autorizonte teknikën e vetme që hetuesit dëshironin të përdornin mbi të gjitha: analizën e telekomunikimeve”, dhe se “komisioni i OKB-ve në Liban nuk ka bërë aspak analizë të telekomunikimeve në pjesën më të madhe të ekzistencës së tij trevjeçare.”

Siç kanë theksuar edhe disa lexues tanë të patrembur, raporti Mehlis në mënyrë të qartë tregon se Komisioni shfrytëzonte të dhëna telekomunikuese në hetimet e tij për t'i ndjekur vrasësit e Haririt. Prandaj pse, e pyeta z. Mekdonald, Bramerci do të kishte nevojë të autorizojë analizë të telekomunikimeve nëse Komisioni e bëntë një gjë të tillë që në vitin 2005? Apo ndoshta puna e mëparshme e bërë në kuadër të Mehlis-it ishte lloj tjetër i analizës së telekomunikimeve nga ajo që është bërë nga Uisam Eid?

Z. Makdonald, pyetjes sime iu përgjigj në këtë mënyrë, të cilën po e jap më poshtë me leje:

Çështja që ne e trajtuam në dokumentar ishte se kur filloi komisioni të bëjë analizë të telekomunikimeve të regjistrave telefonikë. Burimet e mia — e ato ishin aty — janë absolutisht të vendosur. Komisioni nuk ka bërë asnjë analizë të tillë deri vonë në vitin 2007. Ishte policia libaneze që ka bërë një gjë të tillë. Kapiteni Eid ishte i pari që e zbuloi rrjetin e kuq, dhe i pari që i identifikoi telefonat e lokacionit të njëjtë. Komisioni Mehlis kishte njohuri për punën e hershme të ISF-së që kishte të bënte me telekomunikimet. Bramerci i referohej mbledhjes së regjistrave telefonikë nga ana e komisionit (unë i referohem kësaj në tesktin tim; ata e siguruan bazën e plotë të të dhënave telefonike të Libanit për vitin 2005). Mirëpo analiza e vërtet e telekomunikimeve nga vet komisioni, siç raportova unë, nuk ishte e autorizuar deri vonë në vitin 2007, në të cilën kohë u soll FTS, një firmë britaneze.”

Ndoshta ajo që është më kontestuese në raportin e CBC-së është sjellja e dyfishtë e supozuar e shefit të kundërzbulimit të Libanit, kolonelit Uisam Hasan. Lidhja e qartë në mes të zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të Haririt dhe Hezbollahut është vështirë për t'u kuptuar, sipas dy bloguesve libanezë, Beirut Spring dhe Angry Arab.

Beirut Spring:

Poqese menduat se raport i CBC-së ishte gol efektiv nga aelanca e Haririt kunder Hezbollahut, kam frikë se keni ide të gabuar.

Ka një pjesë në raport që hedh dyshim mbi rolin e kolonel Uisam el Hasan në këtë krim. Kolonel Hasani sigurisht është në kampin e Haririt dhe fakti se emri i tij doli në pah nga raporti i CBC-së si i dyshuar, ka shkaktuar mospajtim në shumë mendje. Koloneli Hasan mbetet si njëri nga ata që janë cak i Hezbollahut si “dëshmitar i rrejshëm”, prandaj ç'mbetet?

Sipas CBC-së, koloneli Hasan duhej të ishte në konvojin e Haririt ditën që ai u vra, mirëpo ai nuk u paraqit dhe për këtë dha, siç e quan CBC-ja, alibi “jobindëse”. Poashtu, ai me gjasë ka gënjyer për një thirrje telefonike që e ka bërë para krimit.

Fakti se emri i kolonel Hasanit doli në shesh, e bën situatën edhe më të turbullt dhe do të shkaktojë konfuzion të madh.

Angry Arab:

Ky raport i CBC-së i bëri shërbim të madh fushatës së Hezbollahut kundër rastit gjyqësor të Haririt. Shqyrtimet e opinionit publik në Liban tashmë bëjnë me dije për një rënie të qartë dhe sistematike të përkrahjes publike për gjyqin në mesin e sunive dhe druzëve (të krishterët janë të ndarë). Dua të them që, ta akuzosh njeriun kryesor të kundërzbulimit në kampin e Haririt, El-Hasanin, për bashkëpunim në krim, do të thotë ta shndërrosh hetimin në farsë. Ky Uisam Hasani ishte aq i rëndësishëm për hetimin e OKB-së sa që u shfrytëzua (së paku në rastin e “dëshmitarit të rrejshëm”, Muhammed Zuhejr As-Siddik) si përkthyes zyrtar i ekipit të OKB-së. Dhe fakti që raporti mbështetet në llogari të Mehlisit, ka diskredituar gjyqin e aq më shumë edhe raportin. Kampi i Haririt tanimë në mënyrë të qartë është në luftë, dhe Uisam Hasani (i cili është përmendur në raport) ka aq shumë pisllëk te armiqtë e tij të Haririt, dhe do të luftojë me ta. Filmi tani do të bëhet edhe më interesant dhe më i paqartë. Sa i përket vet hetimit të rastit Hariri, mund ta ndërlidhni atë me ndonjë emision televiziv të natës. Kontrolloni programet tuaja lokale televizive.

Human Province beson se hetimi është shndërruar në çështje konkurrence në mes të teorive të konspiracionit:

Diskutimi për vrasjen e Haririt shpejt bëhet çështje konkurrence në mes të teorive të konspiracionit, dhe patjetër është kështu, pasiqë në mënyrë të qartë kishte konspiracion për ta vrarë Haririn. Pyetja është: konspiracion nga kush?

Dhe kjo është ajo që është aq frustruese për mua: pa asnjë dëshmi të fortë, e prezantuar qoftë nga STL apo Hasan Nasrallah, jemi të lënë në mëshirën e hamendjes. (Me që ra fjala, STL nuk është gjyqi i vetëm ndërkombëtar që ballafaqohet me probleme të legjitimitetit dhe dëshmitarëve të rrejshëm.) Bile edhe më keq, duke pasur parasysh se gjendemi në sferën e konspiracionit dhe të teorive konkuruese, jemi të detyruar të futemi në kurth epistemologjik kinez të gishtit në të cilin dëshmia kundër një teorie bëhet dëshmi në favor të saj. Kjo është e përshtatshme për përkrahësit e cilësdo palë, pasiqë nuk ka mjaft dëshmi për ta sfiduar një teori të caktuar të konspiracionit që bëhet nga horrat siç sygjeron pikëvështrimi i tyre ideologjik dhe politik.

Mirëpo për fatin të keq të neve të tjerëve, jemi lënë me përzgjedhjen e pakëndshme në mes të rraskapitjes që kufizohet me apatinë në njërën anë, apo vullgaritetin dhe naivitetin në anën tjetër.

Raporti i CBC e riforcon brishtësinë dhe ndjeshmërinë e rastit Hariri. Kohëra të tensionit duken të pashmagshme për Libanin me përfundimin e punës së Tribunalit Special të OKB-së për Libanin.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.